Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, si dhe Drejtori i Qendrës Kombëtare Mjekësore Skënder Brataj ishte sot në Kukës, ku u prezantua vendndodhja e re e autoambulancave, të cilat nga mëngjesi në darkë, në shtatë ditë të javës do të jenë aty, për të kursyer të paktën kohën e vajtjes për thirrjet e urgjencës.

Në funksion të këtij riorganizimi do të ketë më shumë autoambulanca njëherësh pasi shtohet personeli i shërbimit.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, u shpreh se qëllimi është të krijohet një urgjencë mjekësore e cila do të jetë efikase në shërbimin e saj ndaj qytetarëve.

Ai tha se mbetet ende për të bërë në drejtim të përmirësimit të pajisjeve mjekësore brenda autoambulancave, si dhe përmirësimin e aftësive të personelit mjekësor që shërben aty.

Kryeministri Rama u shpreh se reforma në shërbimin e urgjencës në shkallë vendi do t’i japë përfundimisht zgjidhjen një problemi kronik të trashëguar prej vitesh, të mospërgjigjes në kohë dhe me shpejtësi në terren të nevojave mjekësore.

Kryeministri theksoi se rikonceptimi i mënyrës se si sistemi është i organizuar në funksion të shpërndarjes së autoambulancave, jep një pamje tërësisht të re, duke ndryshuar rrënjësisht raportet mes numrit të autoambulancave dhe numrit të qytetarëve në nevojë për shërbim urgjence./ tvklan.al