3.1% parashikohet të jetë rritja e ekonomisë e Shqipërisë përgjatë vitit 2024, për të shkuar në nivelin e 3.5% vetëm në vitin 2029.

Ka qenë ky projeksioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar në raportin mbi perspektivën ekonomike botërore, ku për vendin tonë bëhet një rishikim i zgjerimit të ekonomisë me 0.2 për qind më pak krahasuar me parashikimin e mëparshëm.

Nga ana tjetër parashikimet e Ministrisë së Financave për ekonominë e vendit arrijnë në 3.4% për 2024-n, ndërsa Banka Botërore pret një zgjerim të ekonomisë me 3.3%. Referuar shifrave të rritjes ekonomike, në rajon vendi ynë lë pas Maqedoninë e Veriut e Bosnje Hercegovinën, ndërsa rritjen më të madhe parashikohet ta ketë Kosova dhe Mali i Zi.

FMN tregon se ekonomia botërore parashikohet të përjetojë një stanjacion dhe të rritet në 2024-2025 aq sa u rrit në 2023-shin, 3.2% ndërkohë sa i takon rajonit të Ballkanit Perëndimor, pritet të ketë një rritje të ngadaltë të ekonomisë, kjo për shkak të presionit të çmimeve, krizës për fuqi punëtore e risqeve klimatike.

Fillimisht ekonomia jonë ishte projektuar në nivele më të ulëta, por të ardhurat që prodhoi sezoni turistik vitin e ardhshëm, investimet e huaja si dhe aktiviteti në rritje i pasurive të patundshme vijojnë të mbajnë të stimuluar ekonominë pavarësisht vërejtjeve të Bankës Botërore për diversifikim të ekonomisë, në mënyrë që rritja e saj të jetë e qëndrueshme.

Tv Klan