Dy ditët e para të udhëtimit të Scholz në Kinë janë të fokusuara në ekonomi. Në Shangai, Olaf Scholz deklaroi se mirëpret makinat kineze në tregun gjerman dhe është në favor të tregjeve të hapura. I shoqëruar edhe nga një delagacion ku në të merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë të kompanive të njohura gjermane, si Mercedes-Benz dhe BMW, Scholz vuri theksin tek konkurrenca e ndershme.

“Në një moment do të ketë edhe makina kineze në Gjermani dhe Evropë. E vetmja gjë që duhet të jetë gjithmonë e qartë është se konkurrenca duhet të jetë e drejtë. Me fjalë të tjera, të mos ketë mbiprodhim.”

Për Scholz është e rëndësishme që kompanitë e prodhimit të vijojnë me punën e tyre dhe të mos kenë pengesa burokratike. Bashkimi Evropian po kryen disa hetime nëse eksportet kineze, për të cilat thotë se kanë përfituar nga subvencionet shtetërore mund të dëmtojnë prodhuesit vendas. Industria gjermane e makinave ka frikë se këto hetime mund të çojnë në një luftë tregtare që mund të dëmtojë perspektivat e tyre në tregun më të madh të makinave në botë. Nga ana tjetër, tërheqja e tregut evropian për prodhuesit e automjeteve elektrike kineze është ndikuar nga vendimi i fundit i BE-së për të ndaluar shitjen e makinave që funksionojnë me naftë e benzinë duke filluar nga viti 2035.

Klan News