Pak ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’i ndërpresë mandatin e deputetit, Shkëlqim Selami është drejtuar në Gjykatën Administrative për të ankimuar vendimin e dhënë ndaj tij.

Përmes një kërkesë – padie të depozituar me postë pranë kësaj gjykate, Selami kërkon shfuqizimin e aktit administrativ për deklarimin e mbarimit të mandatit të deputetit dhe pezullimin e vendimit të dhënë nga KQZ-ja deri në përfundim të gjykimit.

Avokati i Selamit, Genc Çifliku, arsyeton në kërkesë- padi se Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në kundërshtim të hapur me parashikimet ligjore në kryerjen e procesit të verifikimit për masat e sigurimit personal, verifikimi duhej të kryhej mbi bazën e vendimeve të dhëna nga gjykatat e huaja dhe jo mbi bazën e të dhënave policore.

Ndërkaq edhe Dashamir Tahiri ka bërë ankimim në Kolegjin Zgjedhor pas ndërprerjes së mandatit të deputetit nga KQZ-ja. Avokati i tij Fatmir Braka i kontaktuar nga Televizioni Klan konfirmoi se ditët në vijim do ta ankimojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe në Gjykatën Administrative.

Ndërsa ish-Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Avokati i tij Theodhori Sollaku krahas vendimit të qeverisë për shkarkimin e rroshit do të kërkojë edhe shfuqizimin e disa neneve të ligjit të dekriminalizimit si të papajtueshme me Kushtetutën.

Mandatet e tre funksionarëve të lartë publik u hoqën nga KQZ-ja në 29 dhjetor, pasi nga të dhënat e prokurorisë rezultoi se Selami, Tahiri dhe Rroshi kishin fshehur të dhënat e tyre personale në formularin e dekriminalizimit.

Deri në përfundimin e proceseve gjyqësore, KQZ-ja nuk mund të bëjë zëvendësime mandatesh dhe kreu I shtetit nuk mund të shpallë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Kavajës.

Tv Klan