Shërbimet sekrete amerikane nuk kanë besim tek presidenti Donald Trump, ndaj dhe nuk i raportojnë informacione konfidenciale.

Rasti konkret ishte ai i pjesëtarëve të stafit të tij elektoral, për të cilët shërbimet amerikane të inteligjencës kishin informacione se ata mbanin kontakte të fshehta me agjentë dhe diplomatë rusë. Por, asnjë raport nuk i është dërguar Trumpit nga inteligjenca, pasi këto shërbime i druhen faktit se presidenti amerikan mund të ketë qenë duke bashkëpunuar me rusët në dëm të interesave amerikane, me ndërmjetësimin e pjesëtarëve të stafit të tij elektoral. Për më tepër raportimi i shërbimeve inteligjente tek presidenti mund të prishte hetimet.

Të gjitha këto detaje janë bërë publike nga e përditshmja “Wall Street Journal”, e cila ka siguruar një raport të shërbimeve inteligjente ku trajtohet një shqetësim i tillë.

Me sa duket shërbimet inteligjente e kanë më të lehtë t’ua japin mediave informacionet konfidenciale se presidentit. Indinjatën e shprehu të mërkurën përmes rrjetit social “Twitter” edhe presidenti Trump, kur tha se shërbimet inteligjente i lëshojnë informacionet konfidenciale si ëmbëlsira për publikun dhe ky ishte skandali i vërtetë.

Gjithçka nisi shkarkimin e këshilltarit të presidentit për sigurinë Michael Flynn. Në media u publikuan informacione të klasifikuara se Flynn kishte folur në fshehtësi me ambasadorin rus në Uashington, përpara se të merrte zyrtarisht postin dhe kishte diskutuar për lehtësimin e sanksioneve të Uashingtonit ndaj Rusisë për çështjen e Ukrainës.

Në një tjetër raport që inteligjenca amerikane u dha mediave flitej për të tjerë ish-pjesëtarë të stafit elektoral të Trumpit që kishin pasur kontakte me rusët, mes të cilëve edhe ish-drejtuesi Paul Manafort. Për këto raste, senati pritet të krijojë një komision hetimor. /tvklan.al