Merkato e futbollit këtë verë është në shpërthimin e saj. Klubet punojnë për të afruar futbollistët më të vlefshëm. Të shumtë janë ata që përfundojnë marrëveshjet brenda një dite, të tjerë kërkojnë kohë për të përmirësuar kushtet financiare.

Por në Spanjë është një grup futbollistësh që konsiderohen si të paprekshmit për shkak të klauzolës ndaluese e cila shoqërohet me një shumë marramendëse. Por teksa Cristiano Ronaldo ka një klauzolë 1 miliard dollarëshe, cilët janë lojtarët e tjerë që bëjnë pjesë në listën “shikoje por mos e prek”?

Uellsiani Gareth Bale, pasi ka rinovuar me Real Madrid ka një klauzolë prej 500 milionë eurosh. Për shkak të cilësive të tij të mahnitshme duhet të ishte më lart në këtë listë por Lionel Messi është në vend të tretë. Një klub duhet të paguajë 400 milionë Barcelonës për ta pasur argjentinasin.

Marco Asensio i Real Madrid pason me 350 milionë euro.

Klauzola ndaluese e Neymar aktualisht është në kuotën e 222 milionëve dhe vitin që vjen bëhet 250 milionë. Pas tij është futbollisti tjetër i Barcelonës Luis Suarez me 200 milionë euro.

Nuk kishte si të mos bënte pjesë në këtë listë edhe ylli i Atletico Madrid, Antoine Griesmann që është në shkallët më të fundit me klauzolën për blerje para përfundimit të kontratës që arrin në 100 milionë euro./Tv Klan