Dy grupe të trafikut të drogës, të përbërë nga shqiptarë e grekë u shkatërruan nga policia greke në Athinë. Rrjeti i parë drejtohej nga një shqiptar 35 – vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Ai u arrestua nga policia greke teksa synonte të transportonte një sasi droge nga porti i Pireut në drejtim të ishullit të Patmosit, në Jug të Greqisë. Grupi dyshohet se kishte arritur të përfitonte rreth 200 mijë euro nga shitja e kokainës në disa zona të kryeqytetit helen.

10 shtetas grekë, anëtarë të këtij rrjeti u arrestuan gjatë një operacioni të zhvilluar të mërkurën ku u bllokuan 1.6 kg kokainë, 750 gramë përzierës, 59 mijë euro, 30 mijë lekë shqiptare, si dhe para false.

Po ashtu këtij grupi iu sekuestruan edhe 6 automjete luksoze 1 motorë e dokumente të tjera që sipas policisë provojnë aktivitetin e grupit kriminal. Në një operacion tjetër të zhvilluar po nga policia e Athinës u arrestuan 10 persona të tjerë, 8 prej të cilëve shqiptarë.

Grupi kishte arritur të qarkullonte drogë me vlerë 100 mijë euro dhe ishte përgjegjës për shpërndarjen e drogës në shkolla e qendra studentore.

Tv Klan