Fati i Angela Merkelit dhe qeverisë që po përpiqet të krijojë është në duart e kundërshtarëve të saj politikë, socialdemokratëve. Kreu i tyre Martin Shulc njoftoi përmes rrjetit social Twitter se do të pyesë anëtarësinë e partisë, përpara se të vendosë për të mbështetur ose jo kancelaren Merkel.

“Nëse në bisedime na kërkohet pjesëmarrja në qeveri, për këtë do të vendosë antarësia e partisë.”

Përmes rrjeteve sociale, Shulc tha se anëtarësia do të pyetet nëse socialdemokratët do të jenë do të jenë edhe për katër vitet e ardhshme pjesë e një koalicioni të madh qeverisës me kristiandemokratët, apo do të mbështesin një qeveri minorance të drejtuar nga Merkel, pa u bërë pjesë e saj.

Reagimi i Martin Shulcit erdhi pas ftesës që presidenti gjerman Frankvalter Shtajnmajer u dërgoi liderëve të dy partive kryesore për një raund të ri negociatash javën e ardhshme, për formimin e një koalicioni të madh qeverisës. Ftesa erdhi pas takimit 8-orësh të së enjtes në pallatin presidencial në Berlin mes presidentit dhe kreut të socialdemokratëve. Shtajnmajer ka marrë rolin e ndërmjetësuesit të mes partive, për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare. Mediat gjermane njoftuan fillimisht se Martin Shulc ishte tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm për të mbetur në opozitë, 4 vitet e ardhshme. Socialdemokratët janë shpresa e fundit e Merkel për formimin e qeverisë së re, pas dështimit të negociatave javën e kaluar me dy parti të vogla, të gjelbrit dhe liberaldemokratët.

Tv Klan