Elbasan arena

Flamuj të Shqipërisë, brohoritje për fitoren e kombetarës dhe tifozë nga të gjitha trevat shqipfolëse. Kjo ishte pamja që mbizotëroi në rrugët e Elbasanit gjatë gjithë ditës së enjte përpara ndeshjes Shqipëri – Serbi.

Të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, trevat shqipfolëse dhe vende të ndryshme të botës tifozët janë mbledhur në bulevardin kryesor të qytetit.

Ka prej tyre që ndodhen prej disa ditësh në Elbasan të bindur se në fund të 90 minutëshit të ndeshjes do të festojnë fitoren e kombëtares shqiptare.

Masat e sigurisë janë të rrepta aq sa asnjë person i pautorizuar nuk mund t’i afrohet Elbasan Arenës.

Rrugët që të çojnë te stadiumi janë bllokuar për qarkullimin, ndërsa hyrja e tifozëve ka nisur që nga ora 16.00 për t’u mbyllur në orën 20 e 15.

1400 efektive të policisë gjenden në Elbasan. Janë efektivë me uniformë, forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe agjentë civilë.

Ajri monitorohet me helikopter, ku është angazhuar edhe një Kugar i ushtrisë.

Prej orës 12 tifozët nuk janë lejuar që t’i drejtohen qytetit nga autostrada Tiranë – Elbasan. Rruga e Elbasanit dhe Tuneli do të qëndrojnë të mbyllura deri në përfundimin e takimit.

Përveç masave të sigurisë gjithçka tjetër i mbetet lojës.

Kombëtarja shqiptare gjendet në vendin e tretë dhe shpreson fitoren për të siguruar kualifikimin direkt për në Euro 2016. Ndërsa Serbia ka vetëm një pikë në Grupin I.

Tv Klan