Ndahet nga jeta autori i romanit më të njohur në botë, “Emri i trëndafilit”. Shkrimtari,  filozofi dhe publicisti më i rëndësishëm bashkëkohorë, Umberto Eco u nda nga jeta mbrëmjen e së premtes në moshën 84-vjeçare.

Lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Italian u dha nga familjarët e tij . Umberto Eco ishte një nga filozofët, kritikët letrarë dhe novelistët më të shquar të kulturës italiane dhe ndërkombëtare. Një nga figurat përfaqësuese të kulturës italiane në bote, Umberto Eco ishte i njohur për lexuesin ndërkombëtar me romanin “Emri i trëndafilit”. Librat e tij, përfshirë tekste akademike, libra për fëmije dhe shumë ese janë të përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Po kush ishte Umberto Eco?

I lindur në Alessandria/Piemont në vitin 1932, ai njihej si teoricien, kritik letrar dhe romancier Italian. I diplomuar për  filozofi në Torino, Eco ka qenë profesor universitar i Estetikës, i Semiotikës dhe i komunikimeve vizuale në Bolonjë.

Si semiolog dhe kritik letrar, ai u bë i njhou me librat Vepra e hapur (Opera aperta, 1962), Apokaliptikë dhe të integruar (Apocalittici e integrali, 1964), Struktura e munguar (La struttura arsente, 1968), Përkufizimi i artit (La definizione dell’arte, 1969), Traktati i semiotikës së përgjithshme (Trattato di semiotica generale, 1975) e shumë te tjera.

Si romancier u bë i njohur për lexuesit me veprën e vonshme “Emri i trëndafilit”, një roman kriminalistik, metafiziko-semiologjik, me një titull konotativ. Ky roman paralajmëroi një kapitull të ri në prozën italiane. Romani i dytë i Eco është “Lavjerrësi i Fukosë”, i cili u pasua me romanin, “Ishulli i ditës” paraprake që lidh ekzotikën e lundrimit me temën robinsoniane.