hartaMinistria e Drejtësisë ka përgatitur hartën e re të çmimeve të trojeve për vitin 2013.

Në draftin e përgatitur dhe shpërndarë për mendim nga kjo Ministri të bie në sy shproporcionimi i çmimeve të reja në raport me çmimet e viteve më parë sipas zonave.

Kështu, çmimet e reja në zonat kadastrale të kryeqytetit me numër 8150, 8160, 8270, 8350, 8360, 8370 dhe 8380 të cilat përkojnë me qendrën e Tiranës nga 120.000 lekë të reja për metër katrorë që ishin deri vitin e kaluar tani janë bërë 34.339 lekë për metër katrorë.

Pra çmimi në qendër të kryeqytetit është ulur me 3 herë më pak, ndërkohë absurdi qëndron me periferinë ose bathoret e kryeqytetit ku çmimi është dyfishuar në rritje.

Kështu çmimi i trojeve është rritur në raport me vitin e kaluar në Tufinë që i përket zonës kadastrale 8110, në Babrru zona 8120 tek Shkolla e Bashkuar 8130, në Porcelan zona 8170.

Ndryshe nga qendra e Tiranës ku çmimi është ulur me 3 herë ka ndodhur me Kodër Kamzën zona 8320 kur çmimi i parashikuar për këtë vit do të jetë më i lartë nga çmimi i vitit të kaluar.

Nuk ka ende një shpjegim se çfarë e ka rritur çmimin në periferinë e kryeqytetit ose në zonat e varfëra dhe të keqzhvilluara pasi ulja e çmimit në qendër argumentohet me rënien e fuqisë blerëse apo bllokimin e ndërtimeve të reja.

Por a ka logjikë që rënia e fuqisë blerëse në zemër të Tiranës të zhvilluar të shoqerohet me rritjen e çmimit në zonat e keqzhvilluara dhe pa infrastrukturë?

Kësaj pyetje mund t’i përgjigjet vetëm Ministria e Drejtësisë që ka përgatitur këtë draft çmimesh të reja.

Tv Klan