Kosova dhe Serbia takohen sonte në Bruksel në nivel presidentësh e kryeministrash për herë të dytë brenda tetë ditësh, pas takimit të 24 janarit, ku të dyja palët u pajtuan që të lënë tensionet prapa dhe të përqendrohen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ndërtimi i një muri në veriun e Mitrovicës, ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti serb, nxitën tensione të cilat arritën një pikë të lartë më 14 janar kur Kosova ndaloi hyrjen e një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Treni nxiti luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve.

Kosova e cilësoi trenin si një provokim të sovranitetit të saj, ndërsa Beogradi akuzoi Kosovën për dërgimin e njësive të posaçme të policisë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe siç u tha nxitjen e konfliktit.

Kjo shtyri zyrtarët evropian që të riaktualizojnë bisedimet në nivelin e lartë politik pas gati një viti.

Më 24 janar, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mblodhi në Bruksel të dyja palët, duke ju kërkuar jo vetëm uljen e tensioneve por edhe shmangien e retorikës nxitëse.

Të dyja palët thanë se janë pajtuar të ulin tensionet dhe të shpeshtojnë takimet në nivelin më të lartë politik. Në takimin e së mërkurës pritet që në tryezën e bisedimeve të shtrohet çështja e zbatimit të marrëveshjeve që kanë ngecur, përfshire atë për drejtësinë në veriun e Kosovës, energjetiken dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjet e para për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj, por nga 16 marrëveshje të nënshkruara, vetëm një e treta thuhet të jetë zbatuar.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është shpallur nëntë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por ajo është përfshirë në bisedime me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Beogradi është i shqetësuar me mundësinë që në përfundim të bisedimeve atij t’i kërkohet njohja e Kosovës në këmbim të anëtarësimit.

Kosova ka nënshkruar marrëveshjen për stabilizim asociim me Bashkimin Evropian në këmbim të angazhimit në bisedime, por vazhdon të ketë e fundit në rajon në proceset integruese. Autoritetet përballen edhe me kundërshtimin e opozitës e cila shpreh shqetësimet se në bisedimet aktuale Kosova po humbë në sovranitetin e saj. /VOA