Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga një sulm me armë mbrëmjen e së dielës, në një xhami në qytetin e Quebec të Kanadasë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Qendrën Kulturore Islamike, ku më shumë se 50 besimtarë ishin mbledhur për lutjet e mbrëmjes.

Viktimat janë të moshës 35 deri në 70 – vjeç.

Dy persona janë arrestuar, ndërsa policia thotë se vijojnë hetimet. Ndonëse autoritetet nuk kanë përcaktuar ende motivet e kësaj ngjarje, Kryeministri Justin Trudeau e përshkruajti atë si “një akt terrorist”.

Drejtuesi i xhamisë tha se pesë persona kishin mbetur të vrarë, por policia ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht numrin e viktimave dhe të plagosurve.

Trudeau u shpreh i shokuar nga ky lajm dhe e dënoi ashpër këtë sulm mbi myslimanët.

“Teksa autoritetet vijojnë hetimet dhe detajet ende nuk janë konfirmuar, është tepër e trishtueshme të shohësh një dhunë të tillë. Diversiteti është forca jonë dhe toleranca fetare është një vlerë të cilën ne kanadezët e kemi përzemër.”

Edhe Kryeministri i Quebec, Philipe Couillard e konsideroi sulmin si terrorist.

Ndërkohë, një dëshmitar tha për

Reuters

se në sulm ishin të përfshirë mbi tre persona.

Agjencia e Lajmeve raportoi gjithashtu se një skuadër e armatosur policie ishte parë të hynte në xhami. Më vonë policia tha se zona ishte e sigurtë dhe gjithçka ishte nën kontroll.

Gazeta lokole

Le Soleil

raportoi se kishte marrë informacion se një prej të dyshuarve ishtë një 27 – vjeçar “me emër quebec”, i cili ishte i armatosur me armë automatike AK – 47.

Quebec është një qytet me një popullsi prej 765,000 banorësh, ku 6,760 prej tyre, në censusin e fundin deklaruan se janë myslimanë./tvklan.al