Shkencëtarët janë të shqetësuar për përhapjen e shpejtë të “super malarias” në jug-lindje të Azisë. Sipas shkencëtarëve “super malaria” po kthehet në një kërcënim global.

Kjo formë e rrezikshme e parazitit të malarias nuk mund të shkatërrohet me medikamentet e zakonshme kundër malarias.

 “Super malaria” u shfaq fillimisht në Kamboxhia dhe që atje është shpërndarë në zonat e Tajlandës, Laosit dhe ka arritur deri në Vietnamin e jugut.

Një ekip studiuesish në Njësinë e Kërkimit të Medikamenteve Tropikale në Bangkok tha se ekziston një rrezik real që malaria të bëhet e pashërueshme.

“Ne mendojmë se është një kërcënim serioz. Është alarmante se si malaria po përhapet në të gjithë rajonin dhe po i frikësohemi faktit që “super malaria” mund të kapërcejë drejt Afrikës,” tha drejtuesi i njësisë, Arjen Dondrop për BBC.

Rreth 212 milionë njërëz infektohen nga malaria çdo vit. Ajo shkaktohet nga një parazit i cili transmetohet nga mushkonjat dhe është shkaktari kryesor për vdekjen e shumë fëmijëve.

/tvklan.al