Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro kanë vizituar qytetin antik të Apolonisë. Tahiri tha se shumë pasuri kulturore u janë kthyer qytetarëve, që deri dje i kishin trafikantët. Gjithashtu ministri Tahiri komentoi edhe protestën e opozitës duku u shprehur se kërkojnë të mbajnë peng drejtësinë dhe Vettingun.

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë një bashkëbisedimi me nxënës ne Apolloni, pas operacionit policor ku u gjeten 264 objekte te vjedhura, ne kuadër te mbrojtjes se trashëgimisë arkeologjike, ku mori pjese ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi:

Tahiri: Nuk do të doja ta merrja përsipër rrezikun të flisja para jush pa hedhur dy pika në letër. Ju jeni maturantë, kështu që e keni të lehtë të merrni në pyetje mësueset, mua pa diskutim, gjithsesi ju falënderoj shumë që jeni këtu. Dhe për mua është kënaqësi shumë e veçantë të bashkëbisedoj me ju lidhur me një çështje që ndoshta nuk përbën lajm sa gjëra të tjera, por është shumë e rëndësishme për ne, për ju e për brezat e të ardhmes. E kjo ka të bëjë me trashëgiminë, me historinë tonë, me pasurinë që na kanë lënë ata që kanë jetuar këtë tokë, me gjithçka që kemi barrën dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur.

Që në ditët e para të detyrës sime, të Mirelës (Kumbaro, ministres së Kulturës), të kësaj qeverie, ne nisëm me një aksion të gjerë policor të quajtur “IKONA” ku u sekuestruan mbi 2200 objekte të pasurisë sonë, të cilat sot janë pasuri e publikut e deri dje ishin pasuri e trafikantëve.

E njëjta gjë ndodhi dhe këtu. Sapo kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni policor në qarkun e Fierit – dhe jo vetëm – i cili ka për synim mbrojtjen e trashëgimisë. Faza e parë u përfundua me rreth 264 objekte të cilat iu hoqën nga dora trafikantëve. Dhe do vijojmë po njëlloj, sepse për ne pasuria është e vyer, pasuria dhe trashëgimia kombëtare është e vyer. Nëse deri dje ishte e braktisur në dorë të trafikantëve, nëse deri dje ishte jashtë vëmendjes së qeverisë, nëse deri dje qeveria e kaluar kishte braktisur dhe kishte lënë në duar të keqbërësve historinë e Shqipërisë, vëmendja jonë maksimale është e përqendruar aty.

Sepse ne jemi shumë të vendosur për të bërë shtet. Kjo është qasja jonë ndaj gjithçkaje ndodh. Kjo është qasja jonë ndaj formimit e punësimit tuaj – dhe është kjo arsyeja përse i kemi dhënë rëndësi të veçantë reformës në arsim, formimit profesional, zyrave të punës, meritokracisë, barazisë në mundësinë që duhet të ketë secili prej jush për t’u punësuar nesër e për të pasur një të ardhme më të mirë.

Ne jemi shumë të vendosur të bëjmë shtet. Por nga ana tjetër jemi shumë të vendosur të përballemi me çdo forcë që kërkon të na pengojë në rrugën tonë. Kjo këtu prapa nuk është pasuria e Fondit,  e Shtetit. Është pasuri e njerëzve, e juaja.

Ashtu si çdo gjë që bëjmë, ka të bëjë drejtpërdrejt me të ardhmen tuaj, me Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër. Është kjo arsyeja pse një nga themelet e punës sonë sot është Reforma në Drejtësi. Shumëkujt prej jush, disa herë (në shtëpi, me familjarët, fqinjët, të afërmit, me këdo që keni pasur mundësi), mund t’i ketë vrarë veshin, mendjen, shpresën mbi të gjitha fakti që ka gjyqtarë e prokurorë të korruptuar që nuk bëjnë drejtësi sipas ligjit e të drejtës, por sipas xhepit e muskujve, mikut e pushtetit. Kjo nuk është drejtësia që duam ne. Kjo nuk është Shqipëria që duam ne.

Dhe sot ka forca që i përkasin Frontit të së Keqes, që duan të pengojnë Shqipërinë të ecë përpara, që duan të pengojnë Reformën në Drejtësi. Që duan të mbajnë peng Shqipërinë duke mos e lejuar të ecë përpara. Duan të mbajnë peng të ardhmen tuaj duke e mbajtur vendin në kurthin e padrejtësisë, pabarazisë dhe paligjshmërisë.

Kjo është arsyeja pse sot përballemi me dy botë. Ne dhe shumica e shqiptarëve dhe mbi të gjitha të rinjtë që duan një Shqipëri më të drejtë, me mundësi më të mira, me një të ardhme më të sigurt, me arsim më të mirë, me mundësinë për punësim më shumë, me ekonomi më të mirë. Që të gjitha bazohen te reforma në sistemin e drejtësisë. Nga ata që janë përballë. Nga ata që sot janë të ngujuar në një çadër dhe që nuk duan shtet. Nuk duan drejtësi. Nuk duan reformën në drejtësi.   

Por duam atë që lanë, një Shqipëri të shkatërruar dhe të sunduar nga padrejtësia.

Ne në fakt kemi karakter dallues shumë të fortë që na bashkon me pjesën më të madhe të shqiptarëve. Ne duam të mësojmë nga e kaluara për të bërë më mirë në të ardhmen.

Në qoftë se ju kujtohet gjyqtari që ka nxjerr kriminelin që përdhunoi një vajzë të mitur, ai sot vazhdon ende në detyrë, se mbrohet nga ata që janë te çadra. Në qoftë se ju kujtohet prokurori që la të lirë hajdutin e që vjedh prapë sot, është i lirë sepse e mbrojnë ata që janë te çadra.  Në qoftë se ju kujtohen gjyqtarë e prokurorë që kanë bërë padrejtësi të shumta në këtë vend, ata mbrohen nga ata që janë te çadra.  

Reforma në drejtësi është e vetmja mënyrë për të rikuperuar gjithçka kemi humbur në këto 20 e kusur vite. Dhe për të bërë më së fundi një sistem më të drejtë që i shërben në mënyrë më të drejtë qytetarëve.

Sot janë në një çadër në shesh. Ish-kryeministri 27 vjet kalaqafë këtij populli. Dhe ministrat e tij deri para tre vjetësh. Që sot i thonë popullit ne duam të vijmë prapë në pushtet. Dakord. Deri dje kërkonin zgjedhje të parakohshme. Sot duan që zgjedhjet të shtyhen. Deri dje ishin në pushtet. Sot u lodhën dhe bërtasin me të madhe: Duam të vijmë prapë në pushtet.

Deri dje dhe sot dhe në vijim ata do vazhdojnë të refuzojnë reformën në drejtësi. E vetmja që duan është ta shtyjnë të mos bëhet kurrë reformë në drejtësi. Gjyqtarët dhe prokurorët të mos kalojnë kurrë Vetting-un. Pra sistemin që kontrollon si e bën pasurinë. Si janë sjellë në detyrë. Çfarë padrejtësish kanë bërë. Dhe të dallojnë kush meriton të jetë në sistemin e drejtësisë dhe kush nuk meriton. Kush do të jetë në të ardhmen prokuror dhe gjyqtar që do vendosë mbi bazën e të drejtës dhe të ligjit për fatin e Shqipërisë. Dhe jo mbi bazat e pushtetit, mbi bazat e muskujve apo dhe parave e korrupsionit. 

E vetmja që nuk duan është reforma në sistemin e drejtësisë. E vetmja gjë që nuk duan të ndodhë është që Shqipëria të jetë nesër më e drejtë. E vetmja gjë që duan është të mbajnë peng   Shqipërinë. Ndaj sot jemi në këtë pikë, ku ajo çadër nuk është çadër. Është bunkeri i të gjithë atyre që duan të mbajnë peng drejtësinë.  Është bunkeri i të gjithë ish-pushtetarëve dje, ish-drejtorëve dje, ish-ministrave dje që sot duan prapë pushtet për të mbajtur peng sistemin e drejtësisë.

Ne kemi vetëm një ofertë që nuk është oferta jonë. Është oferta e shqiptarëve: tryeza për reformën në sistemin e drejtësisë. Aty, ose bashkohemi, ose ndahemi. Ose e duam Shqipërinë më të drejtë ose ne nuk lejojmë të kthehemi pas. Ose duam të garantojmë për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri, një Shqipëri më të drejtë, më të barabartë, me më shumë mirëqenie, ose ne nuk pranojmë të kthehemi pas. Ajo është e vetmja tryezë që garanton ç‘lloj Shqipërie duam.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht i domosdoshëm, që me të drejtë mund të  na e përmend kushdo. Por ka një tryezë ku trajtohet kjo çështje. Është tryeza e reformës në sistemin zgjedhor. Ajo është një tryezë tjetër ku opozita mund të vijë, të lërë mënjanë bojkotin, të vijë dhe të bjerë dakord për gjithçka duhet të bëjmë që zgjedhjet të jenë më të lira dhe se zgjedhjet e kaluara. Por në asnjë vend të botës demokratike, mund të çohet ish-qeveria dhe të thotë unë dua të jem prapë në pushtet, apo akoma më keq, të përcaktojë se kë do ketë kundërshtar, se këtë po thonë: – ikni ju, të vijmë ne! Të ikë Edi Rama, të vijmë ne! Kjo nuk lejohet.

Miqtë e mi, ne kemi një sfidë shumë të madhe, të punojmë secili për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Asgjë që ndodh rreth nesh nuk është kurrë aq larg sa të duket sikur s’na prek. Gjithçka që ndodh dhe që mund t’ju duket sikur ndodh në bulevard në  Tiranë apo aty te ajo çadra, apo kudo të jetë, nuk është kurrë aq larg sa të mos na prishë të ardhmen, nuk është kurrë aq larg sa të mos prishë të ardhmen tuaj. Ndaj ne duhet të bëhemi bashkë, për të garantuar gjithçka na takon, gjithçka që na e kanë borxh nga e kaluara dhe gjithçka duhet të ndërtojmë vetë për të ardhmen.

Dhe ka vetëm një rrugë, reforma në sistemin e drejtësisë. Ne duhet të kemi gjyqtarë të mirë, prokurorë të mirë, administratë të mirë që i shërben qytetarëve dhe që nuk ndrydh të ardhmen tuaj dhe të të rinjve, por që i hap rrugë meritokracisë, më të aftit. Për këtë arsye duhet reforma në sistemin e drejtësisë. Për të bërë gjithçka nuk kemi bërë. Për faj të atyre që sot janë në bunker, për të bërë gjithçka që duhet të bëjmë për të pasur një Shqipëri më të mirë, më të sigurt dhe më të drejtë.

Unë ju falënderoj pa masë dhe ju siguroj që ne do jemi në dispozicionin tuaj, jo vetëm si në këtë rast, për të garantuar që e shkuara jonë, traditë, historia, trashëgimia, nuk do të treten në duart e trafikantëve. Por mbi të gjithë për të ndërtuar atë që ëndërron secili prej jush, Shqipërinë e gjeneratës tjetër, më të mirë dhe më të drejtë./

tvklan.al