Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden.

Në një status të publikuar në Facebook, Presidenti Thaçi ka thënë se diskutuan për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në vend dhe rajon.

Sipas Thaçit në bisedën e zhvilluar me Biden, janë pajtuar që dialogu dhe bashkëpunimi janë e vetmja rrugë për Ballkanin Perëndimor.

”Sapo zhvillova një bisedë telefonike me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, me të cilin biseduam për zhvillimet e fundit në rajon.

Falënderova zëvendëspresidentin Biden për angazhimin e menjëhershëm të tij, por edhe të SHBA-së që të evitohen tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

U pajtuam që dialogu dhe bashkëpunimi janë e vetmja rrugë përpara për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, jemi të përkushtuar për dialog, për normalizim, për pajtim. HTH”, shkruan Thaçi./KlanKosova.