Qindra qytetarë që iu drejtuan në fundjavë bregdetit të Vlorës vuajtën një trafik të rënduar, duke qëndruar të bllokuar për orë të tëra në mes të vapës.

Automjetet krijuan një radhë kilometrike në të gjithë segmentin nga Orikumi në Vlorë. Shkak për këtë bllokim është bërë ngushtimi i rrugës hyrëse në Vlorë, si pasojë e punimeve për ndërtimin e  Lungomares.

Orët e pasdites shënuan pothuajse bllokimin total të qarkullimit, nisur edhe nga fluksi i shtuar i automjeteve që iu drejtuan Vlorës pas kalimit të fundjavës në zonat bregdetare.

Ky është segmenti në dalje të Orikumit, ku makinat lëvizin me centimetra, ndërsa kjo pamje është në hyrje të Vlorës me dhjetra mjete të bllokuara.

Si të mos mjaftonte kjo, dëmtimi i infrastrukturës rëndoi edhe më tepër kaosin e trafikut. Një situatë e papranueshme kur sezoni turistik sapo ka nisur dhe kur turistët apo pushuesit u duhet të përballen jo vetëm me vapën e pazakontë, por edhe me problemet e trafikut.

Tv Klan