Ditët me diell bëjnë që të lakmohet deti, por kjo nuk i ka penguar aspak turistët të vizitojnë edhe sitet historike dhe arkeologjike të Durrësit.

Në mënyrë individuale apo në grup amfiteatri mbetet ndër objektet më të vizituar.

Të ardhur nga Gjermania, Austria, Repubika Çeke, Holanda apo vende të tjera, ata shprehen të kënaqur me atë ç’ka ofron ky qytet.

“Ne vijmë nga Holanda, për herë të parë në Durrës. Po qëndrojmë në një hotel në Tiranë dhe gjërat janë ok, çmimet shumë të mira krahasuar me ato që kemi ne.”

“Ne vijmë nga Republika Çeke. Vijmë për herë të parë dhe nuk dinim ndonjë gjë për Durrësin, këtu mësuam për amfiteatrin dhe na pëlqen kjo që po shohim.”

“Vij nga gjermenia, kam qenë edhe një herë para 15 vitesh. Më pëlqen, çdo gjë duket mirë.”

Guida që i shoqëron thotë që interesi i turistëve që vijnë nga Austria dhe Gjermania për të vizituar vendin tonë është shtuar dhe vetëm agjencia me të cilën ai bashkëpunon do të sjellë gjatë verës më shumë se 50 grupe.

Shkëlzen Alite, guidë turistike: Vijnë shumë. Çdo grup, janë tre grupe që janë paralel nga Austria që vijnë, janë 45-50 veta. Gjithë tregu gjerman është i paezauruar, është pafund.

Turistët krahas interesit për t’u njohur me bukuritë natyrore, shprehin interes për tu njohur edhe me kulturën dhe mënyrën e jetesës së shqipëtarëve.

Shkëlzen Alite, guidë turistike: Këta interesohen për historitë që iu tregojmë ne guidat për shqiptarët. Kush janë shqiptarët, kush janë paraardhësit e shqiptarëve, me çfarë janë marrë. Interesohen për jetën e shqiptarëve, si jetojnë, sa i kanë të ardhurat e tyre e si ja dalin.  

Shtimi i grupeve të organizuara turistike ka nxitur nevojën e guidave turistike, kryesisht të atyre që flasin në gjuhën gjermane dhe spanjolle.

Klan News