Gjykata e Apelit e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për Besnik Brahan përgjegjësin e firmës “3R”, e cila menaxhon landfillin e Sharrës, vend ku humbi jetën me 7 Gusht adoleshenti Ardit Gjoklaj.

Braha që nga kjo e enjte do të qëndrojë në arrest shtëpie, pasi prej 10 Gushtit ndodhej në burg. Ankimimi në apel ishte bërë nga mbrojtësit e personit të arrestuar. Mësohet se Prokuroria kundërshtoi kërkesën me argumentin se Braha ishte personi pergjegjës për çdo gjë që ndodhte në landfill. Ndërsa ka sjellë dhe si provë dëshmitë e punonjësve dhe kamerat e sigurisë të cilat tregojnë se menaxhimi kryhej nga Braha.

Pavarësisht kësaj togat e zeza vendosën ta lirojnë atë. Ditën e premte Gjyakata e Apelit pritet të shqyrtojë masën për Edmond Kallarin drejtuesi i eskavatorit me të cilin u shtyp 17 – vjeçari. Gjithashtu edhe  Dëfrim Hakrama përgjegjes turni në Sharrë do të kërkojë lirimin nga burg.

Për këtë ngjarje është shapllur në kërkim admnistratori i firmës “3R” Edurim Teqa. Ardit Gjoklaj u gjet i vdekur të dielën e 7 Gushtit në vendin e grumbullimit të plehrave në Sharrë me dëmtime të shumta në kokë, trup dhe gjymtyrë.

Tv Klan