Kryeministri Edi Rama zgjodhi që në këtë seancë të jashtëzakonshme plenare të shkojë me një veshje jo të zakonshme.

I veshur me një bluzë të bardhë sportive, me shqiponjën e kuqe dhe mbishkrimin “Shqipëria që duam”, kjo zgjedhje e tij nuk kaloi pa u vënë re, jo vetëm nga ata që shihnin nga ekrani, por sigurisht edhe nga deputetët në sallë.

Dhe pikërisht një prej tyre, deputeti demokrat Astrit Patozi, zgjodhi që ta vinte në dukje këtë fakt, duke e akuzuar Kryeministrin për thyerje të etikës.

“Dua t’i tërheq vëmendjen Kryeministrit Edi Rama, veshja e të cilit thyen etikën e parlamentit”,

tha Patozi.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ramës, i cili e hodhi poshtë një pretendim të tillë dhe madje tha se veshja e tij nuk ishte e rastësishme.

Rama u shpreh se zakonisht, me veshjen e tij ndodh që në fillim përqeshet, pastaj diskutohet e më pas bëhet modë.

“Meqë e nisët me veshjen time po ju jap një shpjegim. Raporti im me veshjen është që në fillim përqeshet, pastaj diskutohet, pastaj bëhet modë. Nëse do të jesh në parlamentin e ardhshëm, mos u çudit kur të bëhesh pjesë e modës. Veshja ime sot nuk është mungesë respekti. Është modë dhe mesazh për ata 1 milionë njerëz që votuan për këtë qeveri, e cila është krejt tjetër nga ajo që përshkroi deputeti më i mërzitur në këtë sallë”.

/tvklan.al