Në një tjetër operacion antidrogë, Policia e Durrësit ka sekuestruar 68.3 kilogramë kanabis, kallëpë tritoli, granata e armë zjarri.

I koduar “Shkëmbi i kuq”, ky operacion erdhi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative. Kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Guri i Kuq”, në pyllin e fshatit Barkanesh të Krujës, autoritetet gjetën 3 fuçi plastike me 15 thasë plasmasi të mbushura me kanabis, pesha e së cilës ishte rreth 68.3 kilogramë.

Brenda njërit prej thasëve u gjet një kavanoz qelqi i mbushur me rreth 408 gramë fara kanabis.

Giithashtu, gjatë operacionit policia gjeti 2 kallëpë tritoli me peshë 100 gramë secili, 1 granatë ofensive, 1 ndezës unifikues granate, 1 armë gjysmë automatike model 56, 283 copë fishekë model 63 dhe fishekë luftarakë të kalibrit 7.62 milimetra, 1 krehër për armë automatike model 7.62 mm.

Autoritetet thonë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale./tvklan.al