Katër të arrestuar dhe 60 kg kanabis e sekuestruar. Ky është bilanci i një operacioni të koduar “Snow men” zhvilluar nga policia e Tiranës. Në pranga kanë përfudnuar: Ylber Gega, 45 vjeç; Ylber Zllami, 36 vjeç; Albert Ajdini, 27 vjeç dhe Leonard Çela, 37 vjeç.

Policia thotë se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shpërndarjes së kanabisit, në afërsi të autostradës Tiranë – Durrës pranë fshatit Domje, Qaf Kashari, shinat e trenit etj.

Gjatë arrestimit policia kishte informacion se 4 të arrestuarit do bënin një shkëmbim të një sasie të madhe kanabisi, në zonën e Domjes pranë autostradës Tiranë – Durrës.

Policia ka parë dy automjete, një “Ford” dhe një “Opel”, të cilat kanë ndaluar pranë njëra-tjetrës me disa persona në brendësi të tyre, e më pas kanë kaluar në një fushë pranë shinave të trenit.

Menjëherë është bërë ndërhyrja nga ana e policisë dhe është ushtruar kontrolli në automjetet ku janë gjetur 6 thasë të zinj kanabis në pjesën e bagazhit dhe 4 thasë të tjerë në sediljen e pasme të automjetit tip “Ford”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 58 kilogram e 600 gramë kanabis, 2 automjete (Ford dhe Opel), 6 aparate celular. / tvklan.al