Një punonjës  i Policisë së Burgjeve së bashku me një tjetër person janë arrestuar me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotikëve.

Në pranga kanë rënë Elton Lala, 29 – vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës i Policisë së Burgjeve dhe Shkelzeni Duçka, 28 – vjeç, banues në Tiranë.

Seksioni Kundër Narkotikëve të Policisë Tiranë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative ka arritur të dokumentojë veprimtarinë e paligjshme në fushën e narkotikëve të dy shtetasve të cilët u kapën në flagrancë në dalje të Tiranës, në afërsi të një qendre tregtare.

Aktivitetin e paligjshëm në drejtim të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, këta dy shtetas e ushtronin kryesisht në dalje të kryeqytetit, në zonën e Farkës.

Kur janë konstatuar nga Policia, shtetasit ishin jashtë automjetit të tyre dhe ndërkohë njëri prej tyre është larguar në këmbë në drejtim të rrethrrotullimit Tiranë – Elbasan, por ndërhyrja e menjëhershme e forcave të policisë bëri bllokimin dhe ndalimin e tij, ku pas kontrollit të dokumentit të identifikimit rezultoi se ky shtetas ishte punonjës i Policisë së Burgjeve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e mjetit janë gjetur dy qese të zeza të ngjitura me izolant me lëndë bimore të dyshuar kanabis sattiva.

Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u janë sekuestruar:

8.6 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa

Pistoletë e shërbimit tip TT, model 56

Dy krehër me 14 fishekë

Një automjet i tipit “Mercedes-Benz “, me targa “TR 5686 I”

4 telefona celularë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë për veprën penale të “Prodhim dhe Shitje të narkotikëve”, parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal./tvklan