Dy shqiptarë, kushërinj me njëri-tjetrin janë arrestuar nga autoritetet italiane si të akuzuar për një sërë vjedhjesh në disa apartamente në Pesaro, Riccione dhe Rimini.

Të arrestuarit, mosha e të cilëve është 25 dhe 22 vjeç, të pajisur me një trapan në dorë bënin një vrimë në një nga dritaret e shtëpisë dhe me një hekur të lakuar e hapnin atë dhe më pas futeshin në shtëpi.

Sipas policisë, shqiptarët kanë vjedhur të paktën 30 apartamente. Ata merrnin bizhuteritë, orët, veshjet, madje gjenin edhe PIN-et e kartave të kreditit dhe më pas shkonin të tërhiqnin paratë në bankomate. Vjedhjet brenda një nate shkonin në vlera nga 1,500 deri në 2,000 euro. Të gjithë ‘mallin” ata e dërgonin në Shqipëri.

Fillimisht, në prangat e autoriteteve ka rënë 25-vjeçari. Ai është ndaluar nga një patrullë policie teksa kishte shkuar në një bankomat për të tërhequr paratë nga një kartë krediti që kishte vjedhur në një apartament. Pas kontrollit që policia ushtroi në shtëpinë e tij u sekuestruan edhe pajisjet që shqiptarët do t’i përdornin për vjedhje të tjera.

Sipas mediave, 22-vjeçari tjetër u kap në një traget në Ankona, duke u përpjekur që të arratisej për në Shqipëri. Ai ishte fshehur brenda në traget. Gjatë momentit që trageti u nis, ai mendoi se kishte shpëtuar dhe shkoi drejt barit, por atje po e prisnin policët që bënë të mundur arrestimin e tij.

tvklan.al