Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Loja e fundit”, duke vënë në pranga një person dhe shpallur në kërkim një tjetër, të akuzuar për vjedhjen e disa automjeteve në kryeqytet.

Në prangat e policisë ka rënë 21 – vjeçari Musa Xhauri, i cili u ndalua ditën e premte, pas 30 minutash ndjekje nga ana e efektivëve të policisë ndërsa në kërkim është shpallur 21 – vjeçari me inicialet Sh.D, i lindur në Kukës dhe banues në Durrës.

Ky i fundit është një person i dënuar më parë për vjedhje. Ndërkohë, policia po punon për identifikimin e një personi të tretë, i dyshuar gjithashtu si pjesë e kësaj bande.

Ky grup kriminal e ushtronte veprimtarinë e tij në zonën e Komisariatit Nr 6.

Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë kryer disa vjedhje. Policia ka bërë të mundur dokumentimin e të paktën 5 prej tyre, si dhe gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provave materiale, të një kamioni të markës Benz Mercedez me ngjyrë të zezë, me targa TR 2635 L, i cili u gjet ne qytetin e Durrësit, si dhe një autoveturë e markës Benz 250 ngjyrë gri, me targë DR 6369 C.

Policia thotë se po punohet për gjetjen e mjeteve të tjera të vjedhura nga ky grup, ndërsa mbi Musa Xhaurin dhe Sh.D. rëndon akuza e “vjedhjes në bashkëpunim”. /tvklan.al