Pas disa javësh hetimesh policia e Sarandës ka arritur të zbardhë vrasjen e Aleksandër Bardhit, ngjarje e ndodhur më 24 Shtator të këtij viti në fshatin Shëndëlli.

Burime zyrtare bëjbë të ditur se si autorë të kësaj vrasjeje janë arrestuar dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Të ndaluarit janë Dhimitër Ciko, 20 – vjeç, i dënuar më parë për “Trafikim Narkotikësh”, A.L., 18 – vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur 20 – vjeçari A.Xh., i dënuar më parë për “vjedhje”, të gjithë banues në Ksamil.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 20 – vjeçarit A.Xh., policia gjeti 3 armë zjarri “Automatik-model 56” si dhe 3 krëhëra të mbushur me fishekë, të cilat u dërguan për ekzaminime laboratorike, ku rezultoi se të tre armët e mësipërme kanë realizuar qitje në vendin e ngjarjes për vrasjen e Aleksandër Bardhit.

Gjithashtu, Policia bën me dije se këta persona janë autorë në lidhje me një ngjarje tjetër të ndodhur në datën 21 Shtator, ku në vendin e quajtur “Kthesa e shëtitorës” Ksamil, është qëlluar me armë zjarri në ajër, ngjarje për të cilën grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6-gëzhoja automatiku model 56, të kalibrit 7.62 mm.

Si rezultat i ekzaminimeve të kryera për 3 armët e mësipërme për vrasjen e Aleksandër Bardhit, ka rezultuar se 1 prej tyre është përdorur në këtë ngjarje të Ksamilit.

Aktualisht policia vijon punën për kapjen e 20 -vjeçarit në kërkim.

Aleksandër Bardhi, 47 – vjeç, babai i dy fëmijëve u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës më 24 Shtator në Fshatin Shëndëlli të Sarandës./tvklan.al