Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kamuflimi 2”.

Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. O., 31 vjeçe banuese në Tiranë, e dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale; I. B., 21 vjeç banues në Skrapar, klient në qendrën e masazheve; M. C., 37 vjeçe banuese në Durrës, punonjëse në qendrën e masazheve.

Ndërsa u proceduan penalisht D. H. 38 vjeçe, L. S. 25 vjeçe, punonjëse në qendrën e masazheve; A. B. 34 vjeç, A. I. 28 vjeç dhe K. A. 21 vjeç, klientë në qendrën e masazheve.

Ndërsa në kërkim është shpallur 38-vjeçari me iniciale O.Rr.

Shtetasit O. Rr. dhe E. O., administronin një qendër masazhesh në rrugën Bardhyl, në të cilën përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.       

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, aparate celulare, një pajisje DVR dhe një automjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.