Dashamir Xhika, Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, rezulton i përfshirë në një skandal, në lidhje me aksidentin tragjik të së shtunës në rrugën Plepa – Golem, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër, së bashku më nënën e tyre, u plagosën.

Xhika nuk ka zbatuar një vendim të prerë gjykate, për të vendosur mbrojtëset anësore në vendin ku ndodhi aksidenti.

Televizioni Klan ka zbuluar vendimin e formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, në Tiranë, të datës 1 Korrik 2014.

Ky vendim, që mban numrin 2634, i dhënë nga trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Valdete Hoxha, Ilir Toska e Edlira Petriti, e detyron Autoritetin Rrugor Shqiptar, të drejtuar nga Dashamir Xhika dhe Ministrinë e Transporteve, të drejtuar nga Edmond Haxhinasto, që të procedojnë me vendosjen e mbrojtëseve anësore për të mbyllur hyrje – daljet për në pikën e karburantit pranë vendit të këtij aksidenti.

Subjekti “Pienvis” që ka në pronësi karburantin, e kishte çuar në gjykatë një vendim administrativ të Autoritetit Rrugor dhe Ministrisë së Transporteve të vitit 2010, për të vënë mbrojtëset anësore.

Gjykata e Tiranës i dha të drejtë firmës së karburantit, me një vendim që mban datën 7 Qershor 2013.

Por Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, e rrëzoi këtë vendim të Shkallës së Parë, pas ankimimit të bërë nga vetë Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke i dhënë të drejtë këtij të fundit me formë të prerë.

https://www.youtube.com//embed/fS7Y40nQaac

Por edhe pse kanë kaluar dy vjet nga dhënia e këtij vendimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka e ka vënë ujin në zjarr, për të proceduar me vendosjen e mbrojtëseve, që do të kishin shpëtuar dy jetë njerëzish.

Drejtori Dashamir Xhika e pranon se e ka fituar gjyqin, por refuzon të bëjë komente të tjera pas zbulimit të skandalit.

Prokuroria e Kavajës e ka vënë zyrtarisht nën hetim Dashamir Xhikën, pasi daljes në dritë të këtyre fakteve që e implikojnë atë në këtë skandal. Ai konsiderohet si përgjegjës për pasojat tragjike të aksidentit me dy fëmijë të vrarë.

Por a do ta japë ai dorëheqjen pas këtyre fakteve?

A do të t’u kërkojë ai ndjesë familjarëve që humbën dy fëmijët e vegjël në aksidentin rrugor që, sipas Prokurorisë, pati pasoja tragjike vetëm për faktin se ai nuk ka zbatuar një vendim gjykate?

Prokuroria pritet ta marrë në pyetje, ndërsa përgjegjësinë për këtë rast, Dashamir Xhikës ia faturoi edhe Ministri i tij, Edmond Haxhinasto, kur u pyet sot se kush e mban përgjegjësinë për mosvendosjen e mbrojtëseve metalike në vendin e aksidentit me dy viktima.

Tv Klan