Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një nga më të vjetrit në botë është përfshirë në kalendarin e federatës botërore. 162 çiklistë nga 18 ekipe shqiptarë dhe të huaj do të garojnë në edicionin e 74 që do të zhvillohet nga 20 deri më 24 maj. Përfaqësuesi i UCI, Vladimiros Pitsas, i cili do të jetë dhe kryekomisari i garës mendon se kjo është mundësi  mirë e çiklizmit shqiptar të njihet ndërkombëtarisht.

Vladimiros Pitsas (Përfaqësues i Federatës Botërore të Çiklizmit)

“Kjo garë është organizuar për shumë vite në të kaluarën, por jo në një nivel ndërkombëtar. Unë i pashë etapat dhe mendoj se do të jetë një garë e fortë dhe e një niveli të lartë nga teknike dhe konkurrencës”.

Sipas Vladimiros Pitsas nëse kjo garë promovohet në mënyrën e duhur mund të ngjisë shkallët në nivel. Pesë etapa 882 kilometra në total që do të nisin nga Tirana dhe do të kalojnë drejt jugut të vendit madje edhe në bregdet. Më e gjata prej tyre është thuajse 200 kilometra, nis nga Korça dhe përfundon në Elbasan. Rrethi Çiklistik i Shqipërisë mbajti edicionin e parë në vitin 1925, ndërsa rregullisht u organizua pas Luftës së Dytë Botërore.

Tv Klan