Një sondazh i ri i “Gallup”-it ka zbuluar se qytetarët e katër shteteve anëtare të NATO-s i besojnë më shumë Rusisë se SHBA-ve kur është puna për t’i mbrojtur nga një rrezik i mundshëm.

Lajmi, i cili reflekton ndryshimin e perceptimeve sa i përket rolit të SHBA-ve në sigurinë globale, është publikuar nga “Bloomberg”.

 “WIN/Gallup International” pyeti rreth 1000 persona në 66 vende se nga kush do të kërkonin ndihmë së pari nëse do të sulmoheshin.

Teksa SHBA-ja ishte përgjigjja e parë për shumicën e të pyeturve, interesant është fakti se qytetarët e katër shteteve të NATO-s, Greqisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Sllovenisë, u përgjigjen në favor të Rusisë.

Të njëjtën përgjigje dhanë edhe kinezët, iranianët dhe serbët. Rusët zgjodhën Kinën si aleatin kryesor, teksa amerikanët zgjodhën Britaninë e Madhe. Iraku, Bosnja dhe Ukraina, vende me ndasi të mëdha etnike, fetare dhe politike, ishin pothuajse të ndarë mesatarisht mes Rusisë dhe SHBA-ve.

“Nuk është surprizues fakti që Rusët dhe Kinezët zgjodhën njëri-tjetrin, por është i ri,” tha zv/presidenti i Gallupit, Kancho Stoychev për “Bllomberg”.

“Na tregon diçka shumë të rëndësishme – që politika amerikane përgjatë 20 viteve të fundit e ka shtyrë Rusinë drejtë krahëve të Kinës, ç’ka është shumë e çuditshme pasi Rusia është pjesë fundamentale e Europës,” tha ai.

Stoychev tha se sentimentet në favor të Rusisë në Greqi dhe Bullgari mund të jenë shkaktuar nga frika ndaj Turqisë. Teksa të tre shtetet janë anëtare të NATO-s, ndërhyrja e Turqisë në Qipro në vitin 1974 mund të ketë minuar besimin tek aleanca.

NATO është themeluar në vitin 1949, në vitet e para të luftës së Ftohtë, duke sjellë së bashku SHBA-të, Kanadanë dhe fuqitë e Europës Perëndimore për të vepruar si një kundërpeshë ndaj Bllokut lindor të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.

Aleanca ka vazhduar të rritet dhe zgjerohet drejtë lindjes përgjatë viteve të fundit pavarësisht rënies së Bashkimit Sovjetik. /tvklan.al