Edi Rama: Vetëm Ali Ahmeti mund të më kthente këtu sot!

E arsyeja pse Ali Ahmeti e riktheu në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku ka zhvilluar debate të zjarrta me opozitën si kryebashkiak, ishte dhënia e titullit “Qytetar Nderi” për kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Edi Rama ia njeh atij meritën për të gjitha arritjet që shqiptarët gëzojnë aktualisht në shtetin e Maqedonisë së Veriut.

“Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë dhe as nuk do të kishin dot një pluralizëm demokratik, aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare saqë t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar”, tha Rama.

Por i vetëdijshëm se këto deklarata mund të konsiderohen si ndërhyrje në procesin elektoral, Rama nuk e zgjat më tej këtë qëndrim edhe pse qartas e nënvizon rrezikun se lufta për pushtet mes vetë shqiptarëve mund të cenojë pozitat e tyre.

“Ju them vetëm të shohin interesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që sot është më shumë se kurrë ndonjëherë edhe e tyrja dhe ta mbrojnë republikën e tyre ashtu sikurse pozicionin e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, të cilat synojnë gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me stabilitetin e në asnjë rast nuk mund t’u sjellin shqiptarëve asgjë më të mirë sesa ata kanë arritur, por përkundrazi mund t’u shkaktojnë atyre dëme mbi ato që janë arritur”, tha Rama.

Vetë Ali Ahmeti jo pa krenari rreshton të drejtat që gëzojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“I dashur Edi sot edhe ju Skënderbeun e keni në qendër të Tiranës, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër. Dhe unë dënohem nëse nuk e kam flamurin kombëtar. Në zyra 5 mijë euro është gjoba”, tha Ahmeti.

Kryebashkiaku Veliaj që i dorëzoi titullin e “Qytetarit të Nderit” liston të gjitha përpjekjet që ka bërë Ahmeti jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por dhe ata të Kosovës, çka e bën atë një burrë shteti.

“Qëllimet e Ali Ahmetit janë qëllime nga ato që i bëjnë luftëtarët, udhëheqësit dhe politikanët meritojnë fjalën e thjeshtë, por shumë të vyer, patriot”, tha Veliaj.

Por Ali Ahmeti veç udhëheqës politik i spikatur ndër trevat shqiptare, premton që tani të jetë dhe qytetar i denjë për kryeqytetin shqiptar.

“Çfarëdo aktiviteti që ju keni unë do të jem pjesëtar sepse është më edhe qyteti im zyrtarisht”, tha Ahmeti.

Tv Klan