Ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada britanike në vendin tonë thotë se “ambasadori konfirmoi në takimin e përbashkët të donatorëve të SPAK, javën e kaluar, angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar asistencë shtesë dhe ngritjen e kapaciteteve për punën e SPAK, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani dhe Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA), si dhe hetimet e përbashkëta me agjencitë e tjera ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar”.

Më herët, një reagim pati edhe Ambasada e SHBA në vendin tonë, e cila dënoi sulmet e “drejtpërdrejta dhe të tërthorta” kundër SPAK-ut së fundmi. Ajo përshëndeti qëndrimin e mbajtur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas deklaratave të ish-presidentit Ilir Meta kundër kreut të SPAK, Altin Dumani./tvklan.al