SHBA dhe BE: Kryeprokurori zgjidhet me shumicë të thjeshtë

Parlamenti të zbatojë ligjin


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri kanë reaguar këtë të enjte për debatin që ka përfshirë politikën, sa i përket zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërkombëtarët shprehen se mbështesin opinionet e OPDAT dhe EURALIUS, sipas të cilëve mandati i kryeprokurorit ka përfunduar dhe Kuvendi duhet të zgjedhë një kryeprokuror të përkohshëm me shumicë të thjeshtë.

Në një reagim të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Ambasadori Donald Lu thekson se mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. 

“Kushtetuta dhe ligji për prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin”.

Në të njëjtën linjë është edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.

Në një reagim për këtë çështje, BE thotë se “Ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë parashikon dispozita të qarta transitore – siç konfirmohet nga EURALIUS dhe OPDAT në opinionin e tyre në Kuvend. Ne e ftojmë Kuvendin të procedojë në respekt të plotë të ligjit”.

Sipas OPDAT, drejtuesi i ri i prokurorisë zgjidhet me shumicë të thjeshtë dhe mjafton që të pranishëm në sallë të jenë 71 deputetë.

Misionit amerikan, që asiston prej vitesh Shqipërinë në sistemin e drejtësisë dhe ka marrë pjesë në hartimin e Reformës në Drejtësi, në rekomandimin e tij drejtuar parlamentit, shprehej se Kuvendi aktual nuk ka asnjë bazë ligjore ku të mbështetet për të zgjatur mandatin e kryeprokurorit aktual.

“Nuk ka autoritet kushtetues ose ligjor për Parlamentin që të zgjasë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual, mbas skadimit të mandatit të tij. Përkundrazi, ekziston një dispozitë e qartë që urdhëron emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm”.

Sipas OPDAT, prokurorin e përkohshëm, në kushtet kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është themeluar ende, do ta zgjedhë Kuvendi./tvklan.al

Kategori
AktualitetLajmet KryesoreTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*