Reformimi i Akademisë së Shkencave dhe kërkimit shkencor, sipas akdemikëve dhe profesorëve është i domosdoshëm. Por akademikët mendojnë se reforma duhet të shoqërohet me rritjen e financimit për shkencën.

“Reforma  është një çështje e vjetër, ka nisur disa herë por nuk është përfunduar. Studiuesve duhet tu sigurohen të mirat material dhe monetare. Dhe shteti duhet të kërkijuar një kuadër të saktë ligjor si dhe të bëhet auditimi rigoroz i institucioneve. Normalisht reforma duhet të shoqërohet edhe me një faturë financiare”

, shprehet Mariglen Verli.

Profesor Shezai Rrokaj mendon se reforma është e domosdoshme dhe ajo duhet ta nxjerrë kërkimin shkencor jashtë universitetit.

“Aktualisht Akademia e Shkencave nuk është funksionale. Ndaj reformimi duhet të bëhet duke patur disa institute, siç është qendra e studimeve Albanologjike, duhet të ketë institut sizmiologjie, veterinarie, emidemiologjie për t’i shërbyer shoqërisë. Por këto institute nuk duhet të jenë pjesë e universiteteve, pasi unviersitetet bëjnë kërkim shkencor por e bëjnë kryesisht në favor të mësimdhënies”,

thotë Rrokaj.

Por sipas tij akademikët nuk duhen hedhur në rrugë.

“Akademikët duhet të kenë një rol honorifik dhe të paguhen”.

Prej disa ditësh, situata në Akademinë e Shkencave është e tensionuar. Pas zgjedhjeve që u bënë në këtë institucion, Kryeministri Edi Rama i paralajmëroi se pa reformim, Akademia nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, si dhe do i merret godina. /KLAN PLUS