Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla ka komentuar protestën e opozitës, e cila u zhvilluar ditën e sotme në disa akse kryesore të vendit. Balla nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, shkruan se PD po vendos interesat personale përpara interesave të vendit.

Statusi i plotë:

Shqiptarët duan drejtësi dhe punësim. Por, askush nuk e kupton se çfarë kërkon PD-ja – as qytetarët, as mbështetësit e vetë bashkë me ata pak që bllokuan rrugën, dhe aq më pak, miqtë e partnerët tanë europianë.

Fatkeqësisht, Lulzim Basha po vendos interesat personale përpara interesave të Shqipërisë. Ai dhe ajo çfarë ka mbetur Partia Demokratike po e bëjnë këtë, pikërisht nga frika – frika nga Vetting-u dhe frika nga humbja.

Nga kjo frikë kanë vendosur të bllokojnë rrugën e integrimit europian të Shqipërisë duke bërë gjithçka për të bllokuar Vettingun. Sot bllokojnë edhe rrugët që çojnë qytetarët në punë, në shkolla, në spitale.

Harroje Lulzim se mund të bllokosh Shqipërinë. Pa Vetting nuk ka drejtësi dhe pa Europë nuk ka shpresë për zhvillim ekonomik. Ti dhe çfarë ka mbetur nga PD-ja po përpiqeni të vrisni qoftë shpresën për drejtësi, qoftë aspiratën për një jetë më të mirë të shqiptarëve.

Hap pas hapi, ne po ndërtojmë Shqipërinë që duam. Duke ndërtuar shtetin, duke mbledhur taksat, duke mundësuar realizimin e investimeve të mëdha në infrastrukturë, në bujqësi, në shëndetësi dhe me projektet e rilindjes urbane, të cilat do të sjellin krijimin e vendeve të reja të punës.

Opsionet e mundshme të PD-së po mbarojnë. Ne nuk do t’i lëmë ata të mbajnë peng zbatimin e reformës në drejtësi dhe ekonominë e Shqipërisë edhe për shumë kohë akoma.

Ne, Lulzim, do jemi me shqiptarët më 18 Qershor për Shqipërinë që Duam, ti vazhdo me interesat dhe frikën tënde./

tvklan.al