Etrit Berisha ishte pa ngurim pika e forcës për Atalantan në fitoren 1-0 ndaj Borussia Dortmund. Miqësorja ndaj gjermanëve shërbeu si testi i fundit për skuadrën italiane, para fillimit të sezonit.

Portieri i Kombëtares Shqiptare luajti titullar për 90 minuta duke rikonfirmuar gjendjen e tij të shkëlqyer me disa pritje.

Me portierin kuqezi që siguroi paprekshmërinë e portës, Atalanta shfrytëzoi gabimin e portierit të Borussias për të kaluar në avantazh me Ilicic në minutën e 72-të.

Paraqitja e tij në këtë takim me shumë mundësi do ti sigurojë vendin e titullarit edhe këtë sezon tek Atalanta që do të jetë e angazhuar në Europa League. Sezonin e shkuar në serie A, Berisha luajti 26 ndeshje për Atalantan duke i bindur drejtuesit e klubit që të blinin kartonin e tij nga Lazio. Pas shumë tratativash, skuadra nga Bergamo pagoi 5 milionë e gjysmë euro për portierin shqiptar.

Tv Klan