Kryeministri serb Aleksander Vuçiç ditën e nesërme do të zhvillojë një mbledhje me anëtarët e qeverisë, për dënimin e Radovan Karaxhiç. Lajmi bëhet i ditur nga mediat serbe sipas të cilave, qeveria serbe pritet të diskutojë për vendimin e Gjykatës së Hagës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit serb pas vendimit të Gjykatës së Hagës për dënimin e Radovan Karaxhiçit me 40 vjet burg për krimet e kryera në Srebrenicë.

Vuçiç deklaroi se nuk do të lejojë që askush të përdorë verdiktin ndaj ish – presidentit të Republika Srpska, për ta sulmuar Serbinë. “Serbia ka një obligim që të përkujdeset po ashtu edhe për njerëzit e saj jashtë kufijve. Po i paralajmëroj ata që do të mundohen që ta përdorin verdiktin ndaj ish presidentit serb për të sulmuar politikisht apo në ndonjë mënyrë tjetër Republikën e Serbisë, gjë të cilën në pajtim me Marrëveshjen e Dejtonit, Serbia nuk duhet, nuk mundet dhe nuk do ta lejojë”, ka thënë Vuçiç. Në fjalimin e tij kryeministri theksoi se: “Nuk po rrezikojmë askënd, nuk po kërcënojmë askënd, por nuk do të lejojmë njeri që të shtyp serbët vetëm për faktin që ata janë serbë”./tvklan.al