Italia zhytet edhe më thellë në krizë politike, pikërisht në ditën kur duhej t’i jepej fund ngërçit të krijuar nga zgjedhjet e 4 Marsit. Xhuzepe Konte, kandidati për kryeministër i koalicionit mes 5 Yjeve dhe Lega Nordit hoqi dorë nga mandati që presidenti i dha në fillim të kësaj jave. Shkak u bë refuzimi kategorik që kreu i shtetit italian i bëri kandidatit për ministër të ekonomisë dhe financave Paolo Savona, euroskeptik i deklaruar, i sulmuar ashpër edhe nga mediat gjermane.

Në konferencën për shtyp pas takimit me Konten, Matarela tha se nuk mund të mbështeste një qeveri që shkon përkundër linjës europiane të Italisë. Kreu i shtetit propozoi një kryeministër teknik, Karlo Kottarelin, i cili pritet të mandatohet të hënën. Ish-bankieri ka drejtuar komisionin për rishikimin e buxhetit në qeverinë Renci. 64-vjeçari konsiderohet si mbështetës i linjës së masave të kursimit të diktuar nga Brukseli.

Lëvizja 5 Yjet dhe Lega Nord reaguan ashpër duke kërkuar zgjedhjeve të parakohshme. Lideri i 5 Yjeve Luixhi di Maio akuzoi Presidentin për shkelje të kushtetutës. Sipas tij euroskepticizmi nuk është arsye për të penguar formimin e qeverisë dhe kërkoi nisjen e hetimeve për Presidentin. Ndërsa për Mateo Salvinin e Lega Nord, presidenti shkeli vullnetin popullor.

Tv Klan