Monedha e përbashkët europiane vijon rënien në tregun e këmbimit valutor vendas. Të mërkurën një euro këmbehet me 127.8 lekë, duke pësuar një zhvlerësim me 0.8 lekë brenda 24 orëve të fundit.

Përkundrazi, në tregun e jashtëm, Euro ka patur një tendencë të lehtë rritëse, përballë monedhave të tjera. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, tha gjatë konferencës për shtyp se dobësimi i euros ka ardhur për dy lloj faktorësh, ata që quhen fondamentalë: shkëmbimet tregtare, remitancat dhe investimet e huaja.

Por për herë të parë, kreu i Bankës Qendrore ka pranuar si faktor edhe elementët spekulativë në treg. Duke iu referuar ndryshimeve të fundit të kursit, Gent Sejko tha se përndryshe nga pozitiviteti që japin faktorët fondamentalë të cilët përcaktojnë një ekuilibër të ri në tregun valuator, elementët spekulativë dëmtojnë biznesin.

Banka e Shqipërisë përjashtoi elementët psikologjikë të deurizimit si ndikues në kursin e këmbimit, ndërsa u shpreh e gatshme që të ketë bisedime me eksportuesit për t’i shpjeguar këtë nisëm e për t’i ndihmuar që të mos preken fitimet e tyre.

Tv Klan