Nisma për të siguruar vetë energjinë për bizneset e mëdha që lidhen në 35 kv ende nuk ka gjetur zbatim. Afati që Ministria e Energjisë la për këta konsumatorë të cilët do të dilnin në treg të lirë për të blerë energji elektrike ishte fundi i 2016-ës, por deri më sot, asnjë biznes nuk ka mundur dot që të dalë nga tregu.

Për këtë arsye, Enti Rregullator i Energjisë ka marrë një vendim për të shtyrë afatin deri në fund të qershorit të këtij viti. Të kontaktuar nga Tv Klan, zyrtarë të ministrisë së energjisë thonë se është bërë instalimi i matësëve të rinj për 40 bizneset e para. Tarifa e aksesit në rrjet që është vendosur për ta është 1.5 lekë/këh, po kompania e shpërndarjes ka bërë kërkesë për ndryshim të saj.

Dalja e kompanive në treg të lirë varet nga dy vendime që pritet të marrë enti rregullator: tarifën e re për aksesin në rrjet dhe çmimin që ata do e blenë energjinë pranë OSHEE-së, në momentin që nuk do e sigurojnë dot në treg. Janë 72 biznese që detyrohen të dalin në treg të lirë deri në fund të qershorit, e 6200 të tjerë për të cilët afati që është lënë është dhjetori i këtij viti.

Tv Klan