Kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton, i ka kërkuar FBI-së të jap informacion në lidhje me hetimin e ri të hapur për të, sa i përket përdorimit të email-eve.

Populli amerikan meriton të marrë fakte të plota

,” tha Clinton. Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit tha se e mësoi rinisjen e hetimeve nga mediat dhe se askush nga FBI nuk e ka kontaktuar.

Kreu i FBI-së tha të premten se agjencia po rihap hetimin mbi përdorimin e serverit privat të email-ave nga Hillary Clinton.

Në një letër dërguar drejtuesve republikanë në Kongres, drejtori i FBI-së, James Comey tha se agjencia ka mësuar për ekzistencën e email-ave që duket të kenë lidhje me hetimin.

Ai tha se hetuesit po shqyrtojnë materialet për të përcaktuar në se ato përmbajnë informacione të klasifikuara dhe për të vlerësuar rëndësinë e tyre lidhur me hetimin e FBI-së.

Drejtori tha se nuk mund të parashikojë sesa kohë do të dojë hetimi të përfundojë. Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentoj lidhur me zhvillimin.

FBI kreu një hetim lidhur me email-at në vitin 2015, por në korrik arriti në përfundimin se nuk kishte baza për të ngritur akuza kundër Clinton. Njoftimi i FBI-së vjen më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale./ tvklan.al