Në një nga periudhat më të vështira të situatës financiare për shkak të thatësirës dhe të detyrimit që ka për të blerë energjinë elektrike, KESH-it i duhet të paguajë edhe një faturë, të cilën nuk e mendonte se do të arkëtohej në bilancet e tij.

Një vendim i  Entit Rregullator të Energjisë në vitin 2014, i cili uli çmimin me të cilin korporata u merrte energjinë hidrocentraleve të vegjël, është hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë. Vendimi detyron tashmë korporatën që t’u japë prodhuesve të vegjël të energjisë plot 820 milion lekë ose 6.2 milionë euro.

Gjykata ende nuk ka zbardhur vendimin, por Televizioni Klan ka arritur të sigurojë një kopje të procesverbalit, ditën kur është zhvilluar seanca. Prodhuesit privatë të energjisë kanë nisur një betejë të gjatë ligjore, ku fillimisht humbën në shkallën e parë të gjykimit, por pas dy vitesh arritën të fitonin.

ERE ndryshoi çmimin që KESH u blinte prodhuesve energjinë, nga 9.3 lekë për kilovat në orë në 7.9 lekë, duke sjellë kosto për investitorët, të cilët kishin ndërtuar dhe hartuar planin e biznesit mbi bazën e një regjimi ligjor të miratuar, por që ndryshoi rrugës duke shkaktuar kosto financiare.

Përveç faturës që duhet t’i paguajë OSHEE-së për importin që kompania ka bërë për blerjen e energjisë elektrike, që nuk është mundur të prodhohet nga KESH, tashmë korporata duhet të gjejë paratë edhe për vendimin që mori dy vite më parë.

TV KLAN