Viti 2017-të u mbyll me një bilanc negativ për sektorin bankar, jo në aspektin e fitimeve të kësaj industrie, por mbi depozitat bankare. Kursimet e qytetarëve në banka shënuan rënien më të madhe në 6 vitet e fundit, duke u zbritur me 94 miliardë lekë, ose 700 milion euro në raport me vitin 2011-ë.

Krahasuar me një vit më parë depozitat e individëve për periudhën janar-nëntor  kanë rënë me 220 milion euro. Por ndryshe nga rezidentët, korporatat e mëdha kanë rritur paratë që mbajnë në llogaritë bankare, dukuri që vjen edhe nga formalizimit i ekonomisë.

Ka afro 3 vjet që Banka Qendrore ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese, duke ulur normën e interesit të lekut në minimumet historike, çka në disa raste ka bërë që kursimet të mos jenë më një investim tërheqës për qytetarët. Kjo ka bërë që individët të rritin kursimet e tyre në fonde investimi apo alternativa të tjera. Vlera e asteve të këtyre fondeve arriti vitin e fundit në 500 milion euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë depozitat e qytetarëve në banka sot përbëjnë 26% të totalit të këtij portofoli, nga 40% që ishte pesha e tyre 5 vite më parë.

Pavarësisht kësaj Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet që ka nivelin më të lartë të kursimeve në raport me prodhimin e brendshëm kombëtar. Depozitat bankare sot përbëjnë 66.5% të GDP-së, nga 70% që rezultonin një vit më parë.

Tv Klan