Ndërkohë që situata vazhdon të përshkallëzohet në Spanje ku kryeministri Rajoy vendosi të kërkojë miratimin e Senatit për të pezulluar autonominë e rajonit të Katalonias, dy rajone të veriut të Italisë zhvillojnë referendume sot për të kërkuar më shumë autonomi nga Roma.

Lombardia me qendër Milanon dhe Veneto me qendër Venecian, votojnë sot për të kërkuar më tepër vetëvendosje për përdorimin e burimeve ekonomike, menaxhimin e imigracionit, arsimit dhe shëndetësisë.

Referendumet nuk janë detyruese, por mund t’u krijojnë mundësi liderëve të dy rajoneve që drejtohen nga Lega Nord që të negociojnë me qeverinë qëndrore për më tepër pushtet.

Lega Nord ka hequr dorë tashmë nga kërkesa e dikurshme për pavarësi për veriun e Italisë, por sidomos situata e kohëve të fundit me vërshimet e imigrantëve ka rindezur pakënaqesinë me vendimet e Romës.

Vendimarrja për shpërndarjen e imigrantëve në territorin e Italisë është një nga temat kryesore mbi të cilën po luhet vota e sotme në Lombardi dhe Veneto.

Një tjetër temë që ka sjellë gjithnjë polemika është ekonomia.

Rajonet e veriut të Italisë sjellin në arkat e shtetit dhjetra miliarda Euro më tepër se shpenzimet që kryejnë, ndërkohë që jugu është përgjegjës për më shumë se gjysmën e defiçitit të vendit. Për dy referendumet e sotme do të votohet deri në orën 23:00.

Tv Klan