Pas takimit që zhvilloi këtë të enjte me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov tha se Bashkimi Europian, duhet të dënojë përzierjet në politikën e brendshme të Maqedonisë. Ai theksoi se platforma post-zgjedhore e vendos Maqedoninë në pozitë nënshtruese dhe në varësi të një shteti tjetër.

Në deklaratën për shtyp të përcjellë nga mediat maqedonase thuhet se, Ivanov vlerësoi se 

“me gjendjen status quo në integrimin evropian, Republikës së Maqedonisë i është penguar e drejta e prosperitetit dhe mundësohet ndikim i rritur i aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. BE nuk mund të lejojë që kjo të vazhdojë dhe përfundimisht duhet ta identifikojë Ballkanin si një prej prioriteteve të saj më të larta. BE duhet të ndërmarrë hapa urgjentë dhe ta përforcojë procesin integrues të Maqedonisë, i cili është i pakthyeshëm.

Sa i përket vendimit të tij, për të mos i dhënë mandatin Zaev, Ivanov tha se

“në pajtim me Kushtetutën, nuk do ta emërojë si mandatar për konstituimin e qeverisë, gjithsecilin që do të negociojë për platformat e shteteve të tjera me të cilat rrezikohet sovraniteti, pavarësia dhe unitariteti i shtetit”.

Sipas Ivanov, me platformën post-zgjedhore shkelet Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit, ndërsa Maqedonia vihet në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë prej një shteti tjetër. Qytetarët në zgjedhje votuan për reforma evropiane dhe jo për platformë post-zgjedhore të një shteti të huaj.

Ivanov shtoi se hapja e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian do të japin stimulimin e nevojshëm për intensifikimi e proceseve reformuese në këto sfera kyçe dhe do t’i rrumbullakojë përpjekjet e BE-së për tejkalimin e krizave politike në Republikën e Maqedonisë.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, thuhet në deklaratën e Presidencës, theksoi se ka mirëkuptim të tërësishëm për ndërlikueshmërinë e situatës dhe rolin e presidentit në ballafaqimin me sfidat politike.

Mogherini theksoi se e kupton aspektin juridik dhe politik, të nevojshme për tejkalimin e situatës politike dhe se është e gatshme të ndihmojë që kriza aktuale politike të mos rritet në ndëretnike, madje edhe në krizë gjeopolitike. Mogherini shprehu bindjen se faktorët politikë në Republikën e Maqedonisë mund të gjejnë dalje nga situata./tvklan.al