Është ndërprerë në mes mandati i Shefit të Misionit të Bashkimit Europian “EURALIUS” në Tiranë, Rainer Deville. Ky mision asiston autoritetet shqiptare për implementimin e Reformës në Drejtësi.

Televizioni Klan mësoi se në mbledhjen e së premtes të këtij misioni është vendosur që në vend të Deville, të komandohet Zëvendës – Shefja e Misionit, austriakja Agnez Gergard.

Largimi i Deville vjen pas akuzave të opozitës për përkthimin qëllimisht gabim të Ligjit të Vetting -ut, të dërguar nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Venecias.

Sipas opozitës, kjo u bë për të ndikuar në opinionin e këtij Komisioni, për ligjin e rivlerësimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deville ndodhej në krye të Misionit “EURALIUS” që prej Shtatorit të vitit 2014. Ai u largua nga Shqipëria menjëherë pas akuzave të Partisë Demokratike, por zyrtarisht misioni “EURALIUS” tha se ai ishte larguar me pushime.

Misioni “EURALIUS” do të drejtohet përkohësisht nga numri i dy i tij, deri në një tjetër vendim të Zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë.

Tv Klan