Librazhdi është një nga bashkitë e vendit që ofron resurse dhe bukuri të rralla natyrore.

Në këtë bashki ndodhet parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, Fushë Studeni piktoresk, ka shpella dhe maja malesh, liqene, florë dhe faunë të rrallë.

Nisur nga këto resurse bashkia e Librazhdit ka organizuar hapjen zyrtare të sezonit turistik me aktivitete të shumta të përqëndruara në qendër të qytetit dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd: Ftoj të gjithë qytetarët që të vijnë dhe të investojnë në  turizmin malor. Do të ketë lehtësime në procedurën e lejeve të ndërtimit dhe do të ketë promovimin e tyre nga bashkia e Librazhdit.

Të shumtë ishin banorët e zonës dhe turistët që morën pjesë në hapjen e siparit turistik, duke përfituar edhe nga pushimi i fundjavës.

Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd: Kemi turistë që kanë ardhur nga Italia, nga Gjermania, nga Anglia, nga Kosova që janë shqiptarët e Kosovës.

Në territorin e bashkisë së Librazhdit për shkak të rritjes së fluksit të turistëve pjesa më e madhe e strukturave akomoduese të tipit Bujtina janë rezervuar nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Klan News