Me dhjetëra studentë janë arrestuar gjatë manifestimeve pro-palestineze që janë përhapur në disa universitete të Shteteve të Bashkuara.

Këto filmime i përkasin momenteve të arrestimeve të kryera gjatë tubimeve të zhvilluar gjatë natës në Manhatan, ku dhjetëra studentë u mblodhën para kampusit të Universitetit të Nju Jorkut për të protestuar kundër ndihmës financiare për ushtrinë izraelite të miratuar të shtunën nga Dhoma e Ulët e Kongresit.

Më herët, protesta pati edhe në universitetin e Jejllit në Konektikat e po ashtu edhe në Universitetin Kolumbia po në Nju Jork. Në pankarta shkruhej “lerini palestinezët të jetojnë”.

Drejtuesit e universiteteve vendosën të pezullojnë mësimin në auditorë dhe t’i zhvillojnë online leksionet, pasi nëpër salla pati bllokime të mësimit nga protestuesit.  Një numër i saktë i studentëve të arrestuar nuk është bërë ende i ditur.

Të shtunën, Dhoma e Ulët e Kongresit amerikan miratoi edhe ndihmën financiare për ushtrinë e Izraelit që arrin në mbi 26 miliardë Dollarë.

Ndihma pritet të votohet sot në Senat. Ushtria izraelite është e angazhuar në sulmin e saj në Rripin e Gazës që pas ndërhyrjes së paprecedentë të militantëve të Hamasit në territoret jugore izraelite më 7 Tetor të vitit të kaluar.

Tv Klan