3-golëshi ndaj Ekuadorit ishte vendimtar. Lionel Messi, si lider i vërtetë i kombëtares Argjentinase, e mori për dorë ekipin e tij duke e kualifikuar për në botërorin e Rusisë. Kjo arritje rihapi edhe një herë debatin e përjetshëm.

Kush është lojtari më i mirë për kombëtaren argjentinase nga dy numrat 10, Diego Armando Maradona apo Lionel Messi. Deri diku vlerësimet janë subjektive, por çfarë thonë statistikat.

Maradona ka luajtur 90 ndeshje me kombëtaren ndërsa Messi 122. Ylli i Barcelonës ka shënuar thuajse dyfishin e golave të Maradonës.

Madje ka dhënë edhe dyfishin e pasimeve të sakta për gol.

E vetmja statistikë që nxjerr Maradonën superior është ajo e golave të shënuar në botëror. Ish futbollisti i Napolit ka realizuar 8 herë në 21 ndeshje të luajtura, ndërsa Messi 5 herë në 15 ndeshje.

Në ‘Copa America’ Messi ka shënuar dy herë më shumë se Maradona, ndërsa në eliminatoret e Kupës së Amerikës e ka kaluar lojtarin më të mirë të viteve 80 në një masë shumë të madhe.

Lionel Messi ka realizuar 9 gola më shumë edhe në ndeshjet miqësore.

Nëse Maradona fitoi epitetin dora e zotit për golin ndaj Anglisë, loja e Messit është konsideruar në lartësinë e zotit./Tv Klan