Presidenti Donald Trump ka në plan të pyesë kancelaren gjermane Angela Merkel mbi përvojën e saj me presidentin rus Vladimir Putin, kur kancelarja të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të martën.

Një zyrtar i lartë i administratës tha të premten se presidenti Trump do të jetë shumë i interesuar për të marrë mendimin e kancelares gjermane Merkel, ndërsa përgatitet për t’u angazhuar me udhëheqësin e Kremlinit.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump e kritikoi kancelaren Merkel për “prishjen e Gjermanisë”, me politikat për pranimin e një numri të madh refugjatësh.

Zonja Merkel e ka kritikuar presidentin Trump për ndalimin e përkohshëm të udhëtimeve, duke thënë se nuk ka asnjë justifikim për vendosjen e njerëzve nga një origjine e caktuar ose besimi fetar nën dyshim të përgjithshëm.

Stephen Szabo, drejtor ekzekutiv i Akademisë Transatlantike, thotë se zonja Merkel po vjen në Shtëpinë e Bardhë e shqetësuar se presidenti Trump mund të tregohet i butë ndaj Rusinë dhe do të minojë regjimin e sanksioneve që ajo vetë hartoi pas pushtimit rus të Ukrainës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analisti Szabo tha se gjëja më e keqe për solidaritin perëndimor do të ishte zbutja e sanksioneve amerikane ndaj Rusisë pa ndonjë progres në Ukrainë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u përpoq të premten për të lehtësuar këto shqetësime, duke u thënë gazetarëve se çdo përpjekje për të minuar sanksionet që ekzistojnë për shkak të aneksimit të Krimesë nuk do të lejohet deri sa çështja të zgjidhet./Voa